Superliga

Kjo është shifra që kërkon Llapi për lirimin e Veliut nga kontrata

Klubet të cilat janë të interesuara për t’i kenë shërbimet e Valmir Veliut duhet t’i paguajnë Klubit Futbollistik “Llapi” plotë 300 mijë euro. Kështu të paktën kanë deklaruar drejtuesit e këtij klubi për Gazetën “Sheshi”, pas raportimeve të fundit që e lidhin yllin e ri llapjan me një transferim të mundshëm te klubi i Dritës nga Gjilani.

Veliu ndodhet nën kontrat me klubin nga “Zahir Pajaziti” deri në korrik të vitit 2021, ndërkohë që ai ka të përcaktuar në kontratën e tij edhe dëmshpërblimin për klubet kosovare që duan ta kenë atë në radhët e tyre.

Sekretari i këtij klubi, Muhamet Rexhepi, i cili njëherit është edhe përgjegjës për kontratat e futbollistëve ka deklaruar për Gazetën “Sheshi” se Veliu ndodhet në mardhënie pune me KF Llapin dhe se klubet që duan t’i kenë shërbimet e tij duhet ta paguajnë një shumë kogja të majme.

Së pari dua që të ju sqaroj një gjë. Valmir Veliu nuk është në shitje dhe aq më pak për klubet nga Kosova. Por, nëse ndonjë klub dëshiron ta transferojë atë duhet të paguajnë 300 mijë euro, pasi që lojtari ndodhet edhe një vit në kontratë dhe kaq kushton kartoni i tij”, deklaroi Rexhepi.

I kontaktuar nga Gazeta “Sheshi” edhe futbollisti Valmir Veliu ka folur në lidhje me zërat e fundit që e lidhin atë me një transferim te Drita.

Mund të ju konfirmoj që nuk kam biseduar me asnjë klub dhe aq më pak që jam afër marrëveshjes. Unë kam kontratë me Llapin dhe do ta rrespektojë atë. Së bashku me drejtuesit e klubit do të ulemi dhe do të shqyrtojmë çdo ofertë që kemi para vetës”, deklaroi Veliu.

Veliu u paraqit në 27 ndeshje këtë edicion, derisa ka realizuar katër gola dhe ka shërbyer pesë herë për bashkëlojtarët e tij.