Kategoria Superiore

Klubit shqiptar i bllokohet afati kalimtar nga FIFA, ankohet në CAS

Ditën e sotme ka dalë në dritë një lajm, që ka të bëjë me Kukësin. Mësohet se ashtu si Partizani, edhe klubi verilindoor është bllokuar të bëjë merkato, nëse nuk paguan një ish-futbollist të vetin, i cili ka fituar gjyqin në FIFA.

Sidoqoftë, çështja ka përfunduar në CAS për vendimmarrje finale, pasi nënkampionët e Shqipërisë thonë se nuk i kanë asnjë detyrim financiar kroatit Filip Zderiç.

Ky është njoftimi zyrtar nga klubi:

“Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin sportiv në lidhje me një vendim të dhënë nga FIFA në muajin janar, ku është bllokuar merkatoja jonë për shkak të një ankimimi të ish-futbollistit tonë Filip Zderiç. Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në CAS dhe do të jetë pikërisht kjo gjykatë, ajo që do të thotë fjalën e fundit. Klubi ju siguron se nga kjo çështje do të dalim të fituar, sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë.

Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar, duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe). Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqipëria e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në CAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin!”, thuhet në njoftim të klubit.