Superliga

23 trajnerë “shijuan” Superligën e Kosovës këtë sezon

Sot një javë përfundoi sezoni në Superligën e Kosovës me Dritën kampione. Gjilani siguroi Evropa Ligën si nënkampion, kurse Prishtina fitoi Kupën e Kosovës.

E gjatë këtij sezoni të gjatë për shkak të pandemisë COVID-19, pati shifër të lartë të trajnerëve që “kaluan” nga Superliga.

Prej 12 ekipeve, 23 trajnerë “shijuan” Superligën këtë edicion, bazuar në statistikat e nxjerura nga Sinjali Sportiv.

Drita, Gjilani, Ballkani, Llapi, Trepça’89 dhe Ferizaj nuk i ndërruan asnjëherë trajnerët, kurse gjashtë ekipet tjera po.

Prishtina e nisi me Mirel Josën, vazhdoi shkurtimisht me Bylbyl Sokolin, kurse në fund gjeti qetësinë me ish-kapitenin e klubit, Armend Dallkun.

Feronikeli poashtu pati tre trajnerë. Dejan Vukicevic, Agim Sopi dhe së fundmi Afrim Tovërlani i cili sot vazhdoi bashkëpunimin me “Industrialistët”.

Drenica e nisi sezonin me Tahir Lushtakun, e vazhdoi me Gani Sejdiun, kurse në xhirot e fundit drenicakët u drejtuan nga Fadil Rama.

Ekipi që ndërroi gjithashtu tre trajnerë ishte Flamurtari. Në fillim të edicionit trajner ishte Artim Shaqiri për t’u pasuar për pak ditë nga Bylbyl Sokoli. Më pas drejtimin e skuadrës e mori Synaj Keçi. Pasi përfundoi sezoni, Flamurtari caktoi Jusuf Tortoshin në rolin e kryetrajnerit.

Vushtrria ndërroi poashtu tre trajnerë. Bekim Shotani dhe Antonio Toma ishin fillimisht, kurse Fitim Llapashtica e vazhdoi deri në përfundim të këtij edicioni.

Krejt në fund, edhe Dukagjini e ndërroi trajnerin. Pasi nuk pati sukses, Xhengis Rexhepi, ai dha dorëheqje dhe drejtimin e mori Severin Elezaj i cili qëndroi deri në fund të sezonit.