Superliga

Armend Halili tregon arsyet e rinovimit me Gjilanin, daljen në Evropë dhe premtimin e madh për “Skifterat”

I heshtur dhe pa shumë fjalë. Puna dhe angazhimi janë dy gjërat që e karakterizojnë më së shumti, ndërkohë një futbollist të tillë SC Gjilani nuk e kishte ‘luksin’ ta humbiste. ‘Kuqebardhët’ kanë rinovuar edhe për dy vite me mbrojtësin Armend Halili, i cili ishte deçisiv me paraqitjet e tij në ndeshjet ‘finale’ të edicionit që lëmë pas, duke arritur sukses historik me gjilanasit pas daljes në Evropë.

Menjëherë pas rinovimit, Halili ka folur ekskluzivisht për Gazetën “Sheshi” duke treguar arsyet të cilat e shtynë për të vazhduar qëndrimin te Gjilani.

Nuk kam patur shumë dilema për të rinovuar me Gjilanin edhe pse kam patur disa oferta nga klube të ndryshme. Te Gjilani ndihem si në shtëpinë time, përkushtimi i drejtuesve të klubit për të vazhduar bashkëpunimin dhe korrektësia e tyre kanë qënë një faktor shumë i rëndësishëm që kam pranuar ta rinovoj kontratën time edhe për dy vite”, deklaroi fillimisht Halili.

Halili i cili është njëri ndër futbollistët e preferuar të tifozërisë gjilanase thotë se ata ishin një arsye e rëndësishme për të rinovuar me klubin, derisa shpreson që në kampionatin e radhës të shfaqin paraqitje edhe më të mira.

Pasioni dhe dëshira për futbollin në qytetin e Gjilanit kanë qenë një tjetër arsye përse më ka shtyrë të qëndroj edhe më gjatë këtu. Tifozët “Skifterat” janë hijeshia e ekipit dhe shpresoj që do t’i gëzoj me ndeshje të mira edhe në vazhdim”, shtoi Halili.

23 vjeçari i cili luan në pozitën e mbrojtësit të majtë dhe atë të qendrës ka folur edhe për ndeshjet të cilat i presin ‘kuqebardhët’ në Evropë, teksa është treguar optimist që mund të shfaqin paraqitje të mira.

Kemi një ekip shumë të mirë dhe jam optimist që do të shfaqim paraqitje mjaft të mira edhe në Evropë, por edhe në edicionin e ardhshëm”, deklaroi futbollisti kryeqytetas.

Gjilani nuk e fitoi titullin këtë edicion edhe pse pikët i kishte të barabarta me kampionin (Dritën 68 pikë), por një gjë të tillë Halili me shokë synojnë ta bëjnë edicionin e ardhshëm.

Tifozët nuk duhet të merakosen aspak për ekipin. Duhet ta dijnë se Gjilani ka një ekip dhe kryesi që luan me nder në në secilën ndeshjen. Më vije keq që nuk e arritëm titullin këtë edicion, por synojmë që një gjë të tillë ta arrijmë një kampionatin e radhës”, përfundoi Halili.

Armend Halili është pjesë e Gjilanit nga edicioni 2018/19, ndërkohë në të kaluarën ishte pjesë e klubeve si Ramiz Sadiku dhe KEK-u.