Liga e Parë

Humolli: Flamurtari një skuadër me traditë, i duhet Superligës

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të jetë pa derbi lokal në Superligën e Kosovës në futboll për edicionin 2020/21 pas rënies nga elita të Flamurtarit.

Rënia e Flamurtarit, skuadrës që u drejtua nga Sunaj Keqi edicionin që lamë pas, e ka lënë kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën pa derbi lokal.

Kjo nënkupton se vetëm FC Prishtina, klubi më i madh në vend, do ta përfaqësojë kryeqytetin në elitën e futbollit të Kosovës në edicionin e ardhshëm.

Ndonëse derbi lokal mes FC Prishtinës dhe Flamurtarit nuk ka dhuruar ndonjë spektakël viteve të fundit, si në tribuna ashtu edhe në fushën e gjelbër, prapë se prapë mungesa e një derbi lokal në kryeqytet është e madhe.

Ish-futbollisti i FC Prishtinës dhe Flamurtarit, tanimë i pensionuar, Milaim Humolli e ka komentuar rënien e kryeqytetasve nga elita.

Ndonëse thotë se nuk ka pasur ndonjë rivalitet mes FC Prishtinës dhe Flamurtarit në derbit e viteve të kaluara, ai thotë se një ndeshje e tillë do t’u mungojë kryeqytetit.

Flamurtari është një skuadër me traditë që i duhet Superligës. Derbi do të mungojë. Rivaliteti nuk është si më parë, por derbi është derbi, që do t’i mungojë kryeqytetit“, ka thënë Milaim Humolli për “Zeri.info”.

Unë kam qenë pjesë e FC Prishtinës dhe Flamurtarit, dhe rivaliteti ka qenë gjithmonë në fushë. Me rënien e Flamurtarit, elitës do t’i mungojë kjo skuadër“, tregon më tej Humolli.

Më tej, Humolli i cili i ka fituar të gjithë titujt që mund të fitohen me FC Prishtinën, ka thënë se nuk e ka paramenduar rënien e Flamurtarit nga elita.

Nuk e kemi paramenduar rënien e Flamurtarit, por rezultatet ndikuan, ani pse pas pandemisë, skuadra bëri lojëra të mira, por në momentet e fundit lëshoi pikë“, u shpreh Humolli, futbollisti që përfaqësoi Kosovën para pranimit në UEFA dhe FIFA.

Për fund, ai beson se Flamurtari do të rikthehet në elitë me ardhjen e trajnerit Jusuf Tortoshi.

Varet prej kryesisë dhe organizimit. Mendoj se me ardhjen e Jusuf Tortoshit, do të rikthehen shumë shpejt në elitë. Tortoshi ka aftësi dhe dituri për ta bërë këtë“, përfundoi për “Zeri.info” ish-kapiteni i FC Prishtinës dhe Flamurtarit